Komuna e Gjilanit

Pozita Gjeografike
Komuna e Gjilanit gjendet në pjesën juglindore të Kosovës, rajoni i Anamoravës. Është njëra nga komunat e mëdha të vendit. Pozita gjeografike që ka, i mundëson asaj lidhje të mira me qendrat tjera të Kosovës dhe të rajonit.

Rreth qytetit të Gjilanit shtrihen bregoret Kodra e Dëshmorëve (Popovica), Gllama, Dheu i Bardhë, fusha e Malishevës, Zabeli i Sahit Agës dhe Bregu i Thatë. Nëpër qytet kalojnë tre lumenj të vegjël, Mirusha, Banja dhe Stanishori, të cilët bashkohen dhe derdhen në Moravë, në perëndim të fshatit Uglar.

Gjilani është larg nga Prishtina, kryeqendra e Kosovës, 46 kilometra, nga Kamenica – 27 km, nga Vitia – 22 km, nga Artana – rreth 25 kilometra. Me komunat e regjionit kufizohet, në juglindje me Preshevën (33 km) dhe Kumanovën (53), ndërsa në lindje – me Bujanocin (40 km).

Ndërtimi i rrugës Gjilan-Lipjan, nga drejtimi i Kishna Polës, ka shkurtuar dukshëm distancat e kësaj komune me aeroportin e Prishtinës, me rrugën e kombit si dhe me hekurudhat e Kosovës, në Ferizaj dhe Lipjan. Gjilani do të lidhet së shpejti edhe me Kumanovën, nga drejtimi i Stançiqit, ku parashihet hapja e një pike doganore

Popullsia

Popullsia e Gjilanit, përherë ka qenë e përzier, por me një shumicë dominuese të shqiptarëve, si gjatë sundimit turk, ashtu edhe atij serbo-jugosllav. Sipas regjistrimit të vitit 2011, komuna e Gjilanit ka 90.178 banorë.

Hapësira e komunës shtrihet në 392 km/2 dhe përbëhet prej 42 zonave kadastrale. Deri më 2010, përfshinte një territor prej 515 km/2, me 63 vendbanime, 54 zona kadastrale. Decentralizimi e ka reduktuar për 123 km/2 (12 zona kadastrale), të cilat i janë bashkuar komunës së re të Parteshit (3 zona kadastrale) dhe komunës së zgjeruar të Artanës (9 zona kadastrale)

Vendbanimet dhe numri i banorëve

Vendbanimet e komunës së Gjilanit janë këto: Bilinicë (314), Bresalc (2823), Bukovik (80), Burincë (00), Capar (208), Cërnicë (1963), Çelik (87), Demiraj (112), Dobërçan (2659), Dunav (10), Gadish (331), Goden (29), Gumnishtë (473), Gjilan (54239), Haxhaj (206), Inatoc (30), Kishnapolë (235), Kmetoc (691), Kravaricë (264), Kurexh (394), Lipovicë (24), Livoç i Epërm (2551), Livoç i Ulët (3497), Lladovë (545), Llashticë (1624), Llovcë (169), Malishevë (3165), Muçibabë (80), Nasalë (209), Përlepnicë (1944), 

Historia

Viti i saktë i themelimit të Gjilanit edhe sot e kësaj dite nuk është përcaktuar saktësisht. Në shekullin XVII Evlia Çelebija e përmend Gjilanin, por me emrin Moravë, si kadillëk në kuadër të Sanxhakut të Vushtrrisë.

Në mes të tjerash, Evlia Çelebija shkruan se “shtatëmbëdhjetë ditë udhë nga Konstantinopoli (Stambolli i sotëm) për në Novobërdë kalohet nëpër Vrajë, Krivarekë (Egridere) e Moravë (Gjilan)”.

Gjilani gjendet në pjesën lindore të Kosovës dhe është njëra nga shtatë komunat e mëdha të Kosovës. Pas luftës është edhe qendër e rajonit. Sipas regjistrimit të vitit 2011, Komuna e Gjilanit ka mbi 90 mijë banorë

Kultura

Veprimtaritë kulturore në gjuhën shqipe, në Gjilan zënë fill pas Luftës së Dytë Botërore (LDB). Më 1947 u themelua Shoqëria Kulturore-Sportive “Drita”, e cila pas dy vitesh, më 1949 u konvertua në “Bratstvo”. Prezantimet e saj ishin simbolike, kryesisht me ndonjë valle folklorike, apo ndonjë skeç në gjuhën shqipe, gjatë festave shtetërore.

Shtysë të madhe artit letrar i dha formimi i Klubit Letrar “Dardania” (1972) dhe veçmas Manifestimi letrar ndër komunal “Takimet e vendlindjes” (1974), në të cilin u përfshinë krijuesit letrar të Gjilanit, Kamenicës dhe Vitisë. Në fillim të viteve të 90-ta, Klubi letrar “Rexhep Elmazi” organizoi një sërë aktivitetesh letrare.

Më 1991, si sfidë ndaj pushtetit okupues serb, i cili i pezulloi të gjitha veprimtaritë institucionale shqiptare, u themelua Shoqata e Pavarur Kulturore, me sektorët e artit Letrar, Skenik, Pamor dhe Muzikor, asociacion ky alternativ që zhvilloi veprimtari tejet të ngjeshur, duke e ruajtur kështu substancën e boshtit kulturor kombëtar

Sporti

Në Gjilan, zhvillojnë aktivitete sportive dhjetëra klube. Gjilani njihet si qytet i sportit dhe i sportdashësve.

Futbolli – Viti 1922 shënon ardhjen e topit të parë në Gjilan, nga kroati Alojza Stepinac, që mendohet të ketë qenë ushtar në Prishtinë. Më 1936 themelohet ekipi me emrin “Gajret”, i përbërë kryesisht nga lojtarë shqiptarë. Më 15 gusht 1942, në Gjilan formohet klubi “Bashkimi”, i përbërë kryesisht nga lojtarë shqiptarë, i cili veproi deri pak para përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Në fillim të vitit 1945, themelohet Klubi i futbollit “Crvena Zvezda”, petkun e së cilës, në fillim e kanë veshur shumë pak shqiptarë. Një kohë të gjatë u dominua nga udhëheqësit dhe lojtarët serbë. Kur Kosovës po i merrej autonomia, futbollistët shqiptarë i thanë “jo” garimit nën pushtetin e dhunshëm, duke iu bashkuar klubit “Drita”, i formuar vite më parë. Nga viti 1947 deri më 1952, bëri pjesë në Ligën e Dytë të Kosovës. Suksesin më të madh e pati në vitin 2000, kur u shpall fitues i Kupës dhe Superkupës së Kosovës

Rruget e qytetit

01. “15 qershori 99” prej udhëkryqit të Prishtinës deri te shkolla “S. Hallaqi”
02. “Adem Jashari” prej Xhamisë së Madhe deri te Xhamia e Medresesë
03. “Bulevardi i Pavarësisë” prej Xhamisë së Madhe deri te St. i Autobusëve
04. “Abdullah Tahiri” prej Xhamisë së Madhe deri te rruga e Malishevës
05. “Medllin Ollbrajt” prej udhëkryqit para Teatrit deri te udhëkryqi për Prishtinë
06. “Esat Berisha” prej rrugës “Xhemë Topalla” deri te Kombinati i Tekstilit
07. “Lidhja e Prizrenit” prej udhëkryqit në “Iliria” deri te ish-tregu i kafshëve
08. “Idriz Seferi” prej St. të Autobusëve në drejtim të Ferizajt, deri te Qarkorja
09. “Marie Shllaku” prej rrugës së Malishevës deri te Qarkorja
10. “Nëna Tereze” prej udhëkryqit në drejtim të Prishtinës deri te Qarkorja

Lagjet: 

Arbëria, Zabeli, Banja, Dardania I, Dardania II, Qendra, Dheu i Bardhë

Sheshet:

“Agim Ramadani” (para Teatrit), “Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha” (para Hotelit), “Kadri Zeka” (para Shtëpisë së Mallrave)